Parathënie për librin “Udhëtim në kohë” të autores Bora Balaj:
Nga Jeton Kelmendi
Në këtë udhëtim poetik, Bora Balaj na çon përmes thellësive të shpirtit të saj, duke hapur dritare në botëkuptimet, emocionet dhe reflektimet e një gruaje të fortë, të përballur me sfida jetësore të papërshkrueshme. Libri “Udhëtim në kohë” sjell një mozaik poezish të mbushura me filozofi, ndjeshmëri dhe sinqeritet, ku autorja ndan me lexuesin një rrugëtim të brishtë, por të fuqishëm përmes jetës dhe kohës. Se njeriu është një qenie e cila me përkushtim dhe vendosmëri mund t’ia dal secilës sfidë, ketë na e deshmon autorja Balaj, e cila ketë ‘rrugëtim’ e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë me kujdes dhe me besim se ia del suksesshëm.
Poezitë e Bora Balës janë të mbushura me një ndjeshmëri të thellë, ku temat si vetmia, dashuria, dhimbja dhe shpresa ndërthuren në vargje të pasura me metafora. Ajo përshkruan vetveten si një shpirt që sfidon dhimbjen, duke kërkuar dritën në errësirë, dhe përçon mesazhe të qarta për forcën e brendshme dhe qëndresën. Në çdo poezi, ndjehet një lidhje e fortë me natyrën, me kujtimet, me dashurinë e humbur, si dhe një reflektim i thellë mbi rolin e gruas dhe identitetin e saj në këtë botë komplekse. Poetja Balaj duket se ka një vullnet shumë të fuqishëm, saqë të mahnit, por gjithnjë duke u mbështetur në arsyen.
Lexuesi do të ndjejë dhimbjen e saj të ngulitur në çdo varg, por njëkohësisht do të vlerësojë forcën që i buron nga shpirti, e cila e udhëheq drejt një shprese të heshtur, por të palëkundur. Në këtë libër, Bora Balaj ka krijuar një hapësirë ku ndjenjat janë të lira të flasin, ku rrëfimet personale bëhen universale dhe ku çdo lexues mund të gjejë një copëz të vetes. Mbase dikush edhe mund të mendoj se shprehja e asaj që ndien një person, duhet të jetë I izoluar nga qasja e hapur, pork jo mbase shumë më e fuqishme del të hjetë kur shfaqet si qasje universal, prandaj edhe i jep guximin autores të ketë liri në shprehje dhe në përceptim të gjërave.
“Udhëtim në kohë” nuk është vetëm një përmbledhje poezish, por një reflektim i thellë mbi vetë jetën, një udhëtim përmes kohës që na fton të ndalemi, të mendojmë dhe të ndjejmë me tërë qenien tonë.